Programe Forum - Welcome
TREGIME  PËR JETËN  People-icon
Mire se vini ne Program forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Programe, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Register To Have Access For Downloads Softwares

Programe / Staff.


TREGIME PËR JETËN

Shko poshtë

TREGIME  PËR JETËN  Empty TREGIME PËR JETËN

Mesazh nga Master prej Mon Jul 23, 2012 1:18 pm


Një urti i moçme thotë: ai që di shumë dhe nuk e përdorë atë dije është sikur njeriu që i ndez dritat dhe i MBYLLË sytë. Këto tregime janë drita të ndezura në rrugën e jetës sate, por ti ke mendjen: mos i mbyll sytë.

TREGIMI PËR TREGIMET

Vendosa të shkruaj tregime për ty nipçe, por tregime të mira, tregime të zgjedhura, tregime që ta begatojnë mendjen e shpirtin, sepse: TË DUA shumë.
Fjalët e plakut, nipçe, janë farë.
Të gjithë njerëzit në botë mund ta prejnë një kokërr mollë, t’ia numërojnë sa fara janë brenda në një mollë, por asnjë njeri në botë nuk mund ta dijë sa molla mund të bëhen nga një fare e vogël, që gjendet në zemrën e një kokërr molle.
E ti, a e di?
Kur vdes plaku, nipçe, thonë digjet një bibliotekë. Lere nipçe mos varë hundën se unë vdekjen s’e kam askund afër, madje as që e mendoj fare, por ka thënë një i urtë: e vetmja siguri e vërtetë në jetën njerëzore është PASIGURIA e plotë. E po, prandaj, më mirë le të qëllojnë të shkruara, sepse e di që të duhen shumë dhe do të duhen tërë jetën. Fjalët që thuhen në biseda, janë fjalë që i shërbejnë çastit, janë shushurimë që i merr era, thuhen në erë dhe zhduken në erë; fjalët që shkruhen i shërbejnë ardhmërisë. Latinët e vjetër kanë thënë: edhe ngjyra më e zbetë është më e qëndrueshme se kujtesa më e fortë në botë.
Fjalët e shkruara jetojnë. Sa më të sakta e të mençura të jenë aq më të gjatë e kanë jetën.
Tregimet e bukura, nipçe, janë sikur shenjat buzë rruge. Secila shenjë buzë rruge të lajmëron e të thotë: vozitë makinën me kujdes, sepse këtu është kthesë dhe mund të përplasesh, këtu është rruga me gunga dhe mund të lëndohesh, këtu është shkolla – fëmijët kalojnë rrugën...etj. Kështu, pra, nipçe, tregimet e mira të ndihmojnë, të lajmërojnë, të mësojnë, të kënaqin, por vetëm me një kusht: në qoftë se vozitësi është SYÇELË dhe di t’i lexojë, t’i kuptojë dhe t’i respektojë, por sidomos t'i zbatojë në jetë SHENJAT buzë rruge, ose fjalët e urta, fjalët e mençura të tregimeve (kryesisht) shqiptare.
Një urti i moçme thotë: ai që di shumë dhe nuk e përdorë atë dije është sikur njeriu që i ndez dritat dhe i MBYLLË sytë. Këto tregime janë drita të ndezura në rrugën e jetës sate, por ti ke mendjen: mos i mbyll sytë.
Secili plak i urtë di të gatuaj tregime të mira nga dija-përvojë. Dija është e shpërndarë në njerëz, si maza në qumësht: secila pikë e qumështit e ka një fije mazë. Jeta vet bënë gatime të mrekullueshme prej të cilave ti mund të mësosh shumë, në çdo kohë dhe në çdo situatë, por ke mendjen nipçe: një pjesë të bukës së gatuar mund ta dhurojë çdo kush, por GOJËN tënde nuk mund ta ndërtojë askush.
Mësimet e mira nuk mirren vetëm prej njerëzve të mençur! Mos e harro kurë këtë nënvizim. Jeta është Mësuese e vërtetë. Tërësia e mësimeve jetësore nuk përbëhet vetëm nga të mençurit, por edhe nga budallenjtë. Madje budallai mund të jetë mësuesi më praktik në jetë: ai të jep mësimin (qysh nuk duhet, apo?) dhe vetë e paguan çmimin. E sheh sa e mrekullueshme është jeta: të gjithë njerëzit, të gjitha situatat, të gjitha ligjet e universit i ka shnërruar në Mësues PËR TY.
(Nga margaritarët e mendimit do t'i shkëpus disa nënvizime që, të jesh i sigurt, do të duhen gjithmonë:
Gjej kohë për të punuar – ky është çmimi i suksesit. As në fjalor, fjala sukses nuk gjendet para fjalës: punë!
Gjej kohë për të menduar, mendimi është burim i forcës;
Gjej kohë për të luajtur, loja është rinim, fshehtësi e rinisë;
Gjej kohë për të lexuar – leximi është themeli i të gjitha dijeve.
Gjej kohë për t'u kënaqur me ata që i do e të duan – dashuria është rruga më e sigurt për të prekur lumturinë;
Gjej kohë për të ëndrruar – ëndrra e madhe është rrugë që të lidhë me yllin tënd;
Gjej kohë të dashurosh dhe të të dashurojnë, kjo është privilegjë hyjnore;
Gjej kohë të vështrosh të gjitha lëvizjet në natyrë, dita është tepër e shkurtë për vetmi;
Gjej kohë për të qeshur – e qeshura është muzika e shpirtit...)
Në qoftë se do e di t’i shijosh gatimet e GATSHME - do të jesh fitimtar i vërtetë. Një urtak iu foli të rinjve kështu: ju po thoni se ne nuk duam të marrim nga të tjerët, duam vetë të çajmë rrugën e re në jetën tonë... A po? Po pse, moj zemër, të mundoheni kot t'i GJENI të gjeturat? Merrnie këtë që e bëra unë me shokë, siç kemi marrë edhe ne para jush, merrnie të gatshme dhe vazhdonie rrugën tutje, sepse kjo është FORCA e njerëzimit: kështu jeta i JEP jetës.
Merr kudo dhe merr mësime me vlerë. Si bleta. Vetëm nektarin.
Dhe mos harro: të gjithë lumenjtë e mëdhenj krijohen nga përrenjtë e vegjël. Asnjë njeri i madh në këtë botë nuk ka dalë si misri në arë, nga hiçi apo vetëm nga fara.
Të jesh fitimtar do të thotë të DISH të qëndrosh mbi supet e kolosëve.
Kështu ndërtohet rruga e fitimit.
Dhe, mos mendo kurrë se gjyshi i di të gjitha. Dija jonë është një ishull i vogël, modija është një kontinent. Por, më beso, përmes germave tona, përmes nesh, flet e kaluara e pasur dhe shumë e vuajtur e popullit tonë të shtrenjtë. Vuajtja, nipçe, është shkolla më e mirë në jetë. E populli ynë njëmend ka kaluar nëpër shumë mundime, sprova e rreziqe, prandaj edhe i ka përfunduar, me shumë sukses, të gjitha shkollat e jetës. Dhe, kur të tjerët mendonin se ky popull do të zhduket i tëri dhe nuk do të mbetët gjallë askund, asnjë për farë, ai u ringjall, u rilind, nga hiri i zjarrit të vuajtjes dhe u bë edhe më i bukur, edhe më i mençur. Doli fitimtar dhe gjithmonë fitimtar do të jetë.
Ti e di, nipçe: jeta vetëm fitimtarin e përshëndetë me duartrokitje të ngrohta.
E gjyshi i do shumë, shumë i do mbesat dhe nipat - yje fitimtarë që do të shndërrohen në bjeshkë krenare të atdheut.
Njëmend ju do gjyshi shumë!
Dhe, kjo dashuri, më dha forcë që të shkruaj për ty, për Ju. (Kam shkruar dhe po shkruaj gjithnjë duke u mbështetur në thënein emblemë të shkrimtarit tonë më të mirë (R. Kukaj) kur iu thonte fëmijëve: unë nuk shkruaj as për para, as për famë e as për emër, por shkruaj nga dashuria që kam për ju - t'iu puth të gjithëve -mu në zemër.


GJITHNJË TË JESH I NATYRSHËM

Të kam thënë nipçe, të kam thënë shpesh, se...të jesh i natyrshëm, të jesh ai që je, ashtu siç je – kjo është vlera e parë.
Gjithnjë kur je ai (ose ajo) që je, gjithnjë dukesh i bukur, gjithnjë dukesh i vërtetë, gjithnjë je i natyrshëm. E kur ndodhë e kundërta, pra kur përpiqesh të dukesh ndryshe, çka ndodhë? Ndodhë vetëm shëmtia: bëhesh karikaturë, bëhesh sikur plastika, imitacion i të vërtetës. E cili është më i bukur: origjinali apo kopja e origjinalit?
Dëgjoje tregimin:


Njëherë, në një katund, në Llaushë më duket, Bajraktari (domethënë: njeriu i parë i asaj rrethine, flamurtari) e kishte thyer këmbën. Kur u përhapë lajmi se Bajraktari e ka thyer këmbën dhe po ecë duke qaluar, atëherë nisen shumë burra të katundit të ecin duke qaluar, sikur Bajraktari.
Një ditë kalon atypari plaku i mençur, Mujë Loshi i Drenicës. E sheh një të njohur që po ecë duke qaluar. E ndalë.
- Sadik, pse po tapallon, Sadik?
- E ka thye kamën Bajraktari, Mujë, e, kur të kalon ndonjë i huej nëpër katund e më sheh mue tuj tapallue kujton se unë jam Bajraktari, e, bile në sytë e të hujit – bahem niherë dikushi!
– - Sadik – i thotë Muaj me të butë - rri qashtu qysh JE. Mos u mundo
të bahesh qysh NUK JE. Se, jo që nuk bahesh dikushi, po nuk jetë as AI QË JE!


E lexove tregimin nipçe?

Të gjithë ne do të donim të jemi më të mirët, më të mençurit, më të zotët, më të diturit, më të dalluarit. Por jemi këta që jemi dhe kështu siç jemi. Sepse:të këtillë siç jemi,secili nga ne,e ka vlerën e vet të veçantë e të jashtzakonshme që nuk e ka asnjë njeri tjetër në këtë planet. Vetëm duhet të punojmë e të mësojmë pak më shumë, që të jemi gjithnjë të zgjuar, syçelë, të vetëdijshëm dhe, një ditë, do ta zbulojmë fuqinë tonë të brendshme, fuqinë tonë të panjohur që gjendet diku e strukur në qenien tonë. Ajo fuqi është në secilin individ të gjallë dhe jeton e pret aty, në brendinë tonë, derisa të ndizen dritat e mendjes dhe ta njohim e ta shohim me sytë e mendjës sonë. Atëherë, eh, atëherë do të ndodhë ndryshimi dhe, pa qaluar, pa e emituar askënd, pa u bërë kopje e askujt – do të jemi vërtet më të mirët në botë.
Por, e para: të jemi të natyrshëm, të jemi ata që jemi, të jemi të VËRTETË. Gjithnjë. Në çdo kohë dhe në çdo situatë. TË VËRTETË.



A DO TA NDËRRONI ZOTIN?

Pas luftës së dytë botërore, vjen në Rezallë të Drenicës një aktivist partiak i Skenderajit që t'iu flet njerëzve për vlerat e mëdha e të jashtzakonshme të sistemit të ri politik, socializmit.
Mblidhen të gjithë burrat e Rezallës në një kullë të madhe. Në mesin e tyre ishte edhe plaku i mençur, Haxhë Rexha.
Fillon mbledhja. T'ia kërset aktivisti i partisë fjalës për sistemin e i ri politik, të jashtzakonshmin e shpëtimtarin e njerëzimit, që e quajten socializëm, sepse mbështetjen e kishte në ndërtimin e bazës sociale të jetës.
Dhe aktivisti thotë:
Do ta ndërtojmë një sistem të ri politik, një sistem të mrekullueshëm që do ta zhdukë shfrytëzimin e njeriut prej njeriut, që do ta varrosë borgjezinë e ndryshkyr që po ia pi gjakun proletariatit, sidomos klasës punëtore...
Por këtu aktivisti partiak e sheh se njerëzit nuk po e kuptojnë, sepse kush e dinte në Rezallë çka është borgjezia, çka është proletariati, çka është klasa punëtore, prandaj aktivisti partiak e ktheu fjalën kah praktika jetësore që të jetë më i qartë dhe tha:
Ndoshta nuk po më kuptoni, por po dua të them këtë: sistemi i ri
politik që do ta ndërtojmë e ka për qëllim barazinë e njerëzve: të gjithë do të jemi të BARABARTË. Të gjithë do t'i kemi shtëpitë njësoj, të gjithë do t'i kemi rrobat njësoj, të gjithë do t'i kemi mjetet e punës njësoj, pra ky është socializmi ku nuk do të këtë të varfër e të pasur, por do të ketë njerëz tërësisht të barabartë...
Në fund të fjalës, aktivisti i partisë pyeti:
A ka kush ndonjë pyetje?
Plaku i njohur, Haxhë Raxha e ngriti dorën ngadalë si me droe.
Fol plak, urdhëro!
Deshta me të vete, bre bir, e me Zotin çka doni me ba?
Aktivisti shpërtheu:
Na me Zotin nuk kemi punë, kush do t'i besojë le t'i besojë...
Jo, jo – ndërhyri Haxhë Rexha - nuk më more vesh mirë. Unë po them: a doni me lanë atë Zotin plak që e njohë unë, apo mos do ta bini ndonjë Zot tjetër, ndonjë Zot të ri?
Plak unë nuk po të kuptojë!
Qitash ti ke me m'kuptue mirë. Këqyr këtu , bre bir, atë Zotin plak që e njohë unë, ai me pasë dashtë i kish ba njerëzit sikur fishkët e alltisë, të tanë të barabartë. Po ai Zoti plak, që e njohë unë, është i mençur: lahperin e ka lanë lahper që të gërrditet gjithkush prej tij, e zotninë e ka ba zotni që t'i marrin lakmi të tanë dhe të mundohen të bahen sikur ai. Po qysh do m'i ba njerëzit e barabartë, kur lahperi i sokaqeve sillet gjithë diten me duar në xhepa, pa prekë punë me dorë, e unë e mbushi arën pleh, e lavëroj fellë deri mbi gu, e kur t'i bjen bora, t'ia shkrinë plehun e t'ia xhguf dheun, kur t'ia qes faren në pranverë – ajo arë ta shtramon koshin e kallamoqit... E lahperi që sillet sokaqeve – kah ka me marrë? Shpisë tij i vjen era shkrum dhe shkurm ka m'i ardhë sa të jetë lahper, kur ta ndërron veten e të bahet punëtor, atëherë edhe era e shpisë i ndryshon...
Ti plak qenke reaksionar! - tha aktivisti me hidhërim.
Unë nuk e di atë fjalë çka po thue ti, po e di që nëse e bini naj Zot të ri, tjetërfare prej atij Zotit plak që e njohë unë – atëherë mund t'i bani njerëzit të barabartë, a sa të jetë ai Zoti plak që e njoh dhe e due unë – pasha emnin e tij – kurrë lahperin të barabartë me zotninë nuk munesh me ba... Ju i paskeni hi kësaj pune të budallavtë, e udha e marë pa mue dhe pashë zotin mos m'thirrni ma në këso kuvende ku folen fjalë budallica.


E tash, nipçe, për këtë tregim nuk po ta them asnjë fjalë, por lexoje tregimin me titull “Kush je ti”, që vjen këtu dhe t'i krahasosh mesveti: mençurinë e traditës sonë kulturore dhe diturinë moderne të literaturës botërore. Urdhëro.


KUSH JE TI?

Dua të mendosh, nipçe, dhe të më tregosh: a e di KUSH JE TI? Të betohem nipçe se nuk e di dhe nuk ke menduar kurrë se kush je ti!
Dje isha në komunë, i dhashë dokumentat për leje të njohtimit, dhe, a di çka ndodhi? Më detyruan që me gishtin tregues, të lagur në një ngjyrë, t’i lë gjurmët e gishtit në një letër.
Më vonë, kur u ktheva në shtëpi, shfletova librat e mia dhe mësova se: gjurmët e gishtit, nënshkrimi dhe aroma e trupit janë tri veçanti të individit përmes të cilave të gjejnë në fund të botës. Këto janë vetëm tri veçanti, të cilat i ka pranuar hetuesia botërore dhe, përmes tyre të gjejnë kudo të jesh. Merre me mendë, nipçe, mbi gjashtë miliardë banorë i ka bota sot, përmes këtyre tri veçantive që i ka pranuar hetuesi botërore, Interpoli dhe Europoli të gjejnë në fund të botës, sepse askush në botë, në mesin e gjashtë miliardë banorëve, nuk i kanë gjurmët identitike të gishtrinjve që i kam unë, as nënshkrimin tim e as aromën e trupit tim.
Po kur u thellova pak më mirë në literaturë, vërejta se janë edhe mijëra veçanti të tjera, të panjohura brenda njeriut: kush e ka, nipçe, shikimin tënd, ngjyrën e zërit tënd, hapin tënd, mendimin tënd...
E sheh, nipçe, vetëm brenda trupit tënd gjenden me mijëra e mijëra veçanti që, edhe pse të gjithë i takojmë gjinisë njerëzore, secili individ në këtë planet i ka veçantitë që e bëjnë të jetë i dalluar dhe i jashtzakonshëm në mesin e të gjithë të tjerëve.
E tash, më thuaj nipçe, kur je i sigurt, qindpërqind i sigurt se brenda qenies tënde gjenden të gjitha këto veti të veçanta, që i ke vetëm ti dhe askush tjetër në botë, a ka kuptim të bëhesh kopje e dikujt apo të jesh vetë origjinali, ti dhe vetëm ti i veçanti?
A ka kuptim, nipçe, të ecësh zhagas nëpër jetë, të jesh një prej gjithë atyre që e përbëjnë kopenë, apo të zbulosh fuqinë tënde të panjohur dhe të bëhesh me i rëndësishmi, më i dalluari, më i suksesshmi? Nuk ke ardhë në jetë të bëhesh kopje e askujt, sepse nuk ka nevojë të jenë dy njerëz të njëjtë në jetë, por ke ardhë që të plotësosh detyra krejtësisht të veçanta dhe të arrish majat e suksesit, pra të bëhesh bjeshkë krenare, bjeshkë e madhe me maje të lartë.
Majet e bjeshkëve janë të vetmuara, nipçe, nuk kanë shoqe dhe nuk mund të kenë, pikërisht sikur ti që duhet të shndërrohesh në maje të lartë, në maje të veçantë, pa kund të ngjajshëm mbi këtë sipërfaqe të tokës. Sot kam mësuar shumë dhe ta thashë ty. Tash ti e di... E dituria, të thashë, është fuqi për tejkalimin e pengesave...



NJË NXËNËS, NJË ZOG DHE MËSUESI

Një nxënës shkoi tek Mësuesi dhe i tha:
- O Mësuesi im i dashur, më ndihmo, o Mësues! Koka ime është bërë si zgjua bletësh dhe vetëm gumzhimë e zhurmë kam në kokë, sepse i kam njëmijë probleme.
- Ngadalë, tha Mësuesi, mos u ngut. Njëmijë probleme nuk zgjidhen përnjëherë. Problemet duhet zgjidhur një nga një. Me qetësi. Pa ngutje. Por, a di çka?
- Urdhëro, Mësues!
- A pijmë kafe, rrimë e pushojmë dhe, të shohim, mos po krijohet ndonjë situatë prej të cilës mund të mësojmë të dy: edhe unë edhe ti.
- Mirë...- u pajtua Nxënësi
Hynë në dhomë. U ulën mirë e këndshëm. Pinin kafe e rrinin. Në një moment, nëpër një dritare të vogël, që kishte mbetur rastsisht e hapur, hyri një Zog.
Ishte një Zog i vogël, i bukur, por shumë i trembur. Kur hyri në dhomë, në ambientin e panjohur, Zogu i trembur fluturoi më rrëmbim: herë përplasej për xhamave të mbyllur të driareve të mëdha, herë përplasej për dere, e prapë, kthehej dhe përplasej në xhamat e dritareve të mbyllura. Kur i lodh nga dhimbjet e përplasjeve, nga vuajtjet e përpjekjeve për gjetjen e derëdaljes me rrëmbim, pra kur u lodhë fort, shkoi dhe u ulë në një kënd të vitrinës.
Mësuesi e pa Nxënësin e i tha:
- E sheh këtë Zog?
- Po, tha Nxënësi, nuk jam i vërbër, e shohë!
- Eh, ky Zog je ti Nxënësi im i dashur. Dritarja e vogël qëlloi e hapur. Zogu hyri rastsisht. U përplasë me vuajtje e dhembje nëpër xhama, në derë e kudo dhe nuk e gjeti rrugën për dalje. Tërë kohën, ajo dritare nëpër të cilën HYRI Zogu, ishte e hapur. Kësaj i thonë zgjidhje impulsive, zgjidhje me panik, zgjidhje e vrullshme. Asnjëherë, kurrë në jetë, përpjekjet e këtilla nuk përfundojnë me rezultate...
Mësuesi pushoi pak dhe tha:
- Pasi të pushoi Zogu mirë, pasi të qetësohet, shihe me vemendje çka do t’i bëj unë Zogut.
Në atë çast Mësuesi i përplasi duart: baaam! Zogu u tremb nga përplasja e duarve të Mësuesit, fluturoi dhe, nëpër dritaren e hapur, doli në liri.
- E sheh, Nxënësi im, kur pushoi Zogu, kur u qetësua, kur u kthjellë, atëherë e pa dritaren e vogël, që tërë kohën ishte e hapur. Kësaj i thonë zgjidhje e vetëdijshme. Kështu duhet të veprosh edhe ti.
- Por unë i kam njëmijë probleme!...
- E di dhe të kuptojë mirë, por më kupto edhe ti mua. Të gjithë njerëzit në botë dinë të hyjnë në probleme, sikur Zogu që hyri nëpër dritarën e vogël. Por nëntëdhjetë e nëntë përqind të njerëzve nuk dinë të dalin edhe pse gjithnjë dera e hyrjes është e hapur siç ishte dritarja e hapur për Zogun. Pse? Sepse duan t’i zgjidhin të gjitha problemet përnjëherë, sikur ti, me vrull, me rrëmbim, pa qetësi e vetëdijësim.
- E çka duhet të bëj unë?
- Të qetësohesh, sikur Zogu, që pushoi në këndin e vitrinës. Të pushosh, të kthjellohesh mirë, të të vijë drita në sy, apo më saktë drita në mendje dhe të bëhesh dritë e tërë, të jesh krejtësisht syçelë, sepse: secili problem e ka DERËN për hyrje dhe, ajo derë e hyrjes është edhe DERË e daljes. Dhe gjithmonë është e hapur. Qysh ke ditur të hysh në problem, nëpër cilën derë ke hyrë në problem, nëpër të njëjtën derë do të dalësh, por dalja gjithmonë është e kushtëzuar nga SYÇELTËSIA.



E lexove tregimin, nipçe? E tash, a më lejon t’i them nja dy-tri fjalë? Nuk hidhërohesh, a? Më dëgjo!
Në qoftë se këtë tregim nuk e lexon sa për ta lexuar një herë, dy e tri, por e lexon dhe e përsëritë shumë herë, atëherë, ky tregim, pas çdo përsëritjeje, do të hyjë në qenësinë tënde, nuk do të mbetet vetëm dije në kokë, por do të bëhet dije-përvojë dhe, atëherë, të betohem ke mësuar shumë. Në qoftë se e lexon sa për t’u krekosur para shokëve e shoqeve, edhe mundi im, por edhe leximi yt, kanë arritur të bëhen një hiçgjë, një zhurmë e kotë, një punë pa vlerë.
Ndërkaq, nëse e rilexon dhe SIDOMOS nëse ia rikujton vetvetes në çdo situatë dhe në çdo rrethanë, atëherë, të betohem se, ky tregim, e ka vlerën e një jete: do të jetë me ty gjatë tërë jetës sate, do të jetë me ty gjithmonë dhe do të mësojë të hysh e të dalësh në probleme e brenga, në hidhërime e gëzime, por gjithnjë e gjithnjë e gjithnjë – ti do të dalësh fitimtar.
Unë ta thashë ty, por edhe ti thuaju të tjerëve. Sidomos në familjen tënde. E ke parë sa zhurma bëhet për hiçgjë, sa herë babi e ngritë zërin pa lidhje, sa herë nëna bëhet nervoz për imtësirat e parëndëishme, sa herë vëllau rrebelohet me teket e tija, kurse motra i tharton turinjtë thuase erdh dita e përmbytjes së botës? Ju thuaj: qetësi, sepse qetësia është kulturë. Pa qetësi nuk gjendet dera për dalje. A po, nipçe?



PËRTACIA

Njëherë, një nuse e re, shkoi te plaku i mençur, Ramadan Shabani. Ky pleqnar i mençur ishte mësuar t’i vinë burrat prej të gjitha anëve të Kosovës që pyesnin për zgjidhjen e ngatërresave të ndryshme, por të vijë një nuse e re, kjo nuk i kishte ndodhur më parë.
- Kam ardhë për një hall, tha nusja e skuqur nga turpi që bisedonte me njeriun më të nderuar të asaj kohe në Kosovë.
- Mirë, moj nuse, hyjmë brenda dhe bisedojmë, ndoshta do ta gjejmë zgjidhjen bashkë, sepse nuk ka shtëpi pa derë.
Hynë brenda në kullë dhe nusja i tha:
- Më ka vdekë burri, më ka lënë vetëm një djalë pesë vjeç, kam ra në pikë të hallit.
- Pse? – i tha plaku.
- Nuk e di a do të bëhet ky djal i vyeshëm apo dembel. Po ta dija se do të bëhet i vyeshëm e i mençur, kurrë nuk do të martohesha, do ta kisha rritë këtë djal me shumë dashuri. Por, në qoftë se bëhet ndonjë dembel, ndonjë përtac i shëmtuar, nuk do ta çoja jetën kot, do të martohesha...
Plaku i mençur tha:
- Kjo punë është e lehtë, moj nuse. Merre nesër një guralec të vogël dhe lëshoja djalit në mbathjet e tij. Kur të kthehet në mbrëmje, nëse e ka hjekë guralecin nga mbathjet – ruaje dhe mos u marto tjetërkund, sepse do të bëhet njëmend i vyeshëm dhe i mirë. Por, në qoftë se nga përtacia e ka mbajtur tërë ditën guralecin në mbathje dhe nuk e ka hjekë – s’ke pse e çon poshtë rininë tënde, dil e martohu, sepse ai djal do të bëhet një dembel i shëmtuar.
Nusja e dëgjoi plakun e mençur.
Të nesërmen, kur u kthye djali në shtëpi, nëna që e kishte pritur me padurim, e pyeti:
- A u lodhe, djali im?
- Jo, bre nënë nuk u lodha, po një guri në mbathje tërë ditën më ka lënduar këmbën.
- E pse nuk e hoqe, për saora do të liroheshe prej tij?
- S’di. Më vinte zor të ndalesha, të gërmuçesha, ta zbathja këkahshshën dhe kështu tërë ditën e kalova me këmbë të lënduar.
E ëma tha vetmevete: “Jo këmbën po të paska lënduar kokën, more dembel!” dhe, natyrisht, e la djalin jetim dhe shkoi e u martua në tjetër vend.




Nipçe, more nipçe: E sheh mençurinë mahnitëse të njerëzve të popullit tonë. Një plak i urtë, pa asnjë ditë shkollë, por që ka pasë të kryer shkollën e madhe që quhet Përvojë, e ka ditur shumë mirë se: përtacia është nëna e të gjitha dështimeve në jetë. Prandaj, përmes këtij tregimi të ka thënë: Kurrë mos e akuzo askënd për gjendjen tënde, të gjitha që i ke, dhe, të gjitha që do t’i kesh janë dhe do të jenë vetëm PASOJA. Shëmtitë: pasoja të përtacisë, mrekullitë: pasoja të zellshmërisë sate.
Jeta, nipçe, përbëhet prej imtësirave. Merre me mendë djalin e këtij tregimi: për një përtesë të vogël, një gërmuçje, një zbathje, një largim të guralecit nga këpuca dhe ky djal do të jetonte në afërsinë dhe ngrohtësinë e nënës së mirë. Për këtë përtesë, për këtë gjest të përtacisë, që ka qenë dhe është shenjë e vërtetë që paralajmëron se çfarë njeriu do të bëhet nesër ai djal, tërë jetën do ta ketë kaluar me vajë,pa gëzime,pa dashurinë e nënës,pa përkrahjen e kujdesin e saj. Një imtësirë dhe, ja, një jetë merr rugën e humbjes, rrugën e vuajtjes, rrugën e dështimit.
Kjo është përtacia dhe, pastaj, të gjithë përtacët, injorantët, të zhvullnetuarit e dështakët shajnë fatin, jetën dhe çdo kënd tjetër për vuajtjet e tyre. E vërteta është se ata vetë, vetëm ata vetë dhe askush tjetër, janë përgjegjës dhe shkaktar të gjendjës që e kanë, të dështimeve e të mjerimeve të tyre.
Lulet e fatit të vet, nipçe, secili njeri i mbjell me dorën e vet.



LIVADHET E SHTRENJTA


Takohen njëherë në Fushë-Krujë Ismail Qemali e Ali pashë Gucia.
Ali pashë Gucia u ndal e po i sheh livadhet e bujshme, tërë rrafshinën e plleshme të Fushë-Krujës.
- Athua, more zotëri Ismail, këto livadhe kaq të mira e të buta, a janë të shtrenjta? – foli Ali pashë Gucia.
- Shumë të shtrenjta janë, shumë! – u përgjigj Ismail Qemali.
- Çka ta merr mendja, sa teneqe floriri kushtojnë?
- Eh, more Ali pashë Gucia, këto livadhe të buta e të mira e kanë
çmimin e lartë, kushtojnë shtrenjtë rrafsh sa NJË GRUA.
- Sa një grua, po unë në malësi...?!
- Jo Ali pashë Gucia, jo ashtu qysh po mendon ti. Këto livadhe të
buta e të shtrenjta e kanë vlerën SA NJË GRUA E MIRË, rrafsh sa një grua që e BËN një Ali pashë Gucinë!



E do mendimin tim për këtë tregim? Po ta them.
E para: Femra sa të jetë vajzë, dashnore e nuse është e një natyre tjetër. Por kur të BËHET NËNË, kujdes nipçe, se... ajo nuk është më një femër e zakonshme, nuk është më vetëm nëna e një fëmije, por ajo është NËNA E KOMBIT.
E dyta: Shtëpinë nuk e mban toka, por gruaja! Natyrisht ky është kuptim figurativ, por shihe sa me mençuri është thënë kjo urti: shtëpinë e mban toka, sigurisht, por kot e mban toka nëse nuk është gruaja shpianike, sepse sado që toka është e fortë dhe e qëndrueshme, po nuk pat në shtëpi GRUA, ajo shtëpi do të jetë një HIÇ, do të shndërrohet në rrënojë.
E treta: Sami Frashëri ka thënë: nëse edukon burrin, ke edukuar një njeri; nëse edukon gruan ke edukuar një familje.
E katërta:në jetën e njeriut vendin e parë e zë shëndeti. Pa shëndet nuk ke asgjë. Por, pas shëndetit, vendin më të rëndësishëm e zë martesa. Në qoftë se ke martesë të mirë, jetën do ta kesh të mrekullueshme.
E pesta: ligjet e jetës RRËNOJNË PËR TË NDËRTUAR. Vërejë me kujdes femrat-nëna: e harrojnë vetveten, rrënohen, vuajnë, bëhen tokë që nga vuajtja e tyre, nga rrënimi i tyre, të ndërtohet ardhmëria e fëmijëve, pra ardhmëria e jetës, e kombit dhe atdheut.
...dhe ta them prapë: nuk ka asgjë më të shtrenjtë se një nënë që rrit një LUA, si në tregimin që e lexove.


HARTA E BOTËS

Në një Kuvend të burrave, ku ishte i pranishëm edhe kryeplaku i Kosovës, pleqnari i mençur, Ramadan Shabani, pak me vonesë vjen edhe Hasan Prishtina, emri më i pastër i historisë sonë kombëtare.
Ramadan Shabani, duke ia njohur vlerën Hasan Prishtinës, që kishte dhënë aq shumë për kombin, u ngrit në këmbë dhe i tha:
- Ty të takon të ulesh në krye të vendit, në ballë të oxhakut.
Hasan Prishtina tha:
- Jo Ramadan Shabani, jo. Në krye të vendit duhet të ulet mençuria, pas saj vijnë të tjerët e të tjerat.
Foli Ramadan Shabani:
- Po kush ka shkollë më shumë se ti, kush luftoi për atdhe më shumë se ti, kush e shkrini krejt pasurinë e madhe për t’i shkolluar djemtë e Kosovës sikur ti?...
Hasan Prishtina nguli këmbë:
- Dil në krye të vendit Ramadan Shabani, mençurisë i takon balli i oxhakut se, kur të kam TY përpara e kam HARTËN E BOTËS përpara dhe asnjë rrugë e gabueshme nuk mund të më mashtrojë!




Ju pastë gjyshi, ju nipa e mbesa!
Populli që di ta nderojë e respektojë mençurinë, pasurinë e PARË në jetën njerëzore, ai popull meriton të ketë ardhmëri të ndritshme. Nuk ka filluar jeta jonë me ne. Të thella e të pasura i ka rrënjët kombi ynë. Të gjithë ne, dhe ata që vijnë pas nesh, e kanë për BORXH të përulen deri në tokë për NDERIM e falënderim kolosëve të kombit mbi supet e të cilëve po ngritemi ne dhe po arrijmë të shohim më larg. Pa mençurinë e këshillat e tyre, ne do të ishim gjethe të shkëputura që i bart era.
A nuk tha Nino Laurasi, dritë pastë, atje ku është: “Më vritni, por ma ruani gjakun se do t’iu duhet t’i shkruani germat e shqipës sonë të bukur”
Ju pastë gjyshi, ju mbesa e nipa!


Shfrytëzoje rastin! E gjithë jeta është një rast. Ai njeri që shkon më larg, zakonisht është ai që është i gatshëm të bëjë dhe të guxojë. Barka e sigurt kurrë nuk lundron shumë larg bregut.

TREGIME  PËR JETËN  Pfwv4
Master
Master
Webmaster
Webmaster

Numri i postimeve : 7904
Reputation : 47
Join date : 17/06/2011

Shiko profilin e anëtarit http://programe-al.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

TREGIME  PËR JETËN  Empty Re: TREGIME PËR JETËN

Mesazh nga Master prej Mon Jul 23, 2012 1:30 pm

Kishin menduar se do të mbeten pa nënë e baba, por me mbetë pa modelin më të bukur, shëmbëlltyrën më të përkryer dhe dashurinë e zemrës më fisnike e bujare, për këtë asnjë moment nuk kishin menduar.
Duke udhëtuar në kohët e kaluara por fisnike të myslimanëve, sot do të shkoj shumë larg në kohën dhe vitet në të cilat në Tokë ende ishte gjallë i Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s. Zemra e tij e mbushur me dashuri ndaj Allahut dhe gjithë besimtarëve numëronte rrahjet e fundit të saj.

Sytë më të bukur që lotuan me lotët më të vlefshëm që njeh historia, të mbuluar me kapakët e rënduar nga temperatura dhe ethet që e kishin kapluar robin më të mirë të Allahut, sytë e mbushur me dritë vezulluese, sepse nuk kishin shikuar në atë që Allahu kishte ndaluar, për herë të fundit i viziton personat e dashur.

Zemrat e sahabëve ishin të tendosura dhe gati nuk dilnin nga krahërorët e tyre, të mbushura nga burimi i pastër për shkak se po largohet miku më i mirë i tyre.

Gati nuk kishin menduar asnjëherë që do t’i lërë mësuesi i tyre më i mirë.



Kishin menduar se do të mbeten pa nënë e baba, por me mbetë pa modelin më të bukur, shëmbëlltyrën më të përkryer dhe dashurinë e zemrës më fisnike e bujare, për këtë asnjë moment nuk kishin menduar.

Por, këto ditë të rënda dhe të lodhshme me vete sollën edhe këto mendime, për zemrën të padëshpëruar dhe gati të papranueshme. Në këto ditë vape të verës në Mekë mbizotëronte një heshtje e jashtëzakonshme, lodhja nuk ndihej ndërsa tregtarët pak vëreheshin, sikur çdo gjë ndjellte sprovën më të madhe.

Sahabët në xhami presin mikun e tyre më të madh, mësuesin, yrnekun, shokun, vëllain, imamin dhe udhëheqësin. E dinin që Muhammedi s.a.v.s. ishte i sëmurë, por dëshironin shërimin e tij. I mbështetur në mesin e dy miqëve të tij, duke u dridhur në xhami hyri Muhammedi s.a.v.s. I sëmurë, por i dashuruar në xhami, në namaz dhe vizita e shtëpisë së Allahut nuk ndalej.



Pasi mori pak fuqi, Pejgamberi s.a.v.s. u ngrit dhe iu drejtua masës:

“O njerëz, e di që jeni të brengosur për atë që do të vijë kur do t’u lë dhe shkoj te Zoti im. A thua ndonjë i dërguar i Allahut ka mbetur përherë me pasuesit e tij? Jo. Sikur ndonjëherë të kishte mbetur edhe unë do të mbetesha me ju. Por unë jam vetëm njeri i rëndomtë, i vdekshëm sikur gjithë njerëzit tjerë. Të gjithë e kemi fundin tonë. Vetëm Allahu është i përhershëm. Ai përcakton fillimin dhe fundin e jetës sonë. Çdo gjë është në pushtetin Tij. Çdo gjë ndodh me dëshirën e Tij. Ai është mbi çdo send.”

Mund të paramendoni se çfarë ndodhi pas këtyre fjalëve. Zemrat u mbushën me pikëllim dhe brengë, me pikëllim për shkak të paralajmërimit të shkuarjes nga dynjaja e njeriut më të mirë të historisë, brenga ngase nuk do të jetë ai që do të jepte këshillat më të bukura, ai i cili thërriste në rrugën e drejtë dhe largonte në mënyrë të bukur nga e keqja, nuk ka më ruajtës të komunitetit dhe individit. Si të mbetesh në rrugë të drejtë kur të lë ky këshillues kësisoji?!

Filloi vajtimi. Dënesje, por jo të zakonta. Dënesjet për më të dashurin, dënesjet nga të cilat lëkundeshin trupat, sytë e skuqur si gjak, këmbët e këputura, ndërsa zemrat zhyteshin gjithnjë e më shumë në brengë. Pyesnin kur dënesjet dhe vaji do të ndalen, dhe a ka mundur të ndalen.



Fjalët nga goja e bekuar përsëri dolën:

“Mesazhi im i fundit është që të besoni fuqishëm në një Zot dhe të bëni vepra të mira. Pasoni rrugën e Kuranit, rrugë të cilën Zoti u përcaktoi. Nëse nuk veproni kështu do të bini në hidhërimin e Allahut dhe do të mposhteni.



Pasha kohën!

Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.

Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

(El - Asr, 1-3)



Vëllezër, koha e kthimit tim te Zoti im është afër. Ai më së miri e di momentin e vdekjes sime. Unë dëshiroj me shpirt të pastër të shkoj para Allahut të madhërishëm. Nëse dikënd e kam lënduar, nëse dikujt i kam mbetur borxh ose nëse dikënd e kam goditur, le të thotë tani, le të marrë të drejtën e tij tek unë dhe le ta paguajë llogarinë e tij.

Asnjëherë nuk jam hakmarrë ose ndaj dikujt kam treguar urrejtje. Asnjëherë nuk kam dëshiruar dikënd ta dëmtoj ose t’i bëj keq. Por, nëse kjo ka ndodhur, lirisht thuani.

Kërkoni kompensimin dhe mos lejoni që me borxhin apo hakun tuaj të shkoj para Allahut të madhërishëm!”

Në xhami një heshtje e rëndë. Dëgjoheshin vetëm dënesjet e sahabëve të cilët më kot mundoheshin ta ndalin vajin. Në të njëjtin moment ndienin pikëllimin e pafund për gjendjen e Pejgamberit s.a.v.s., por edhe mahnitje dhe krenari për këto fjalë të fuqishme dhe fisnike.

Askush as që kishte paramenduar që në pyetjen e tij dikush mund të paraqitej.

Njeriu me emrin Ukash u ngrit dhe tha: “I Dërguar i Allahut, më ke borxh tre dërhem.”

Ata që ishin prezent nuk mund t’u besonin veshëve dhe syve të tyre. E shikonin me urrejtje, por për shkak të respektit ndaj Pejgamberit s.a.v.s. nuk thanë asgjë. Në këto fjalë, Pejgamberi s.a.v.s. buzëqeshi butësisht dhe në vërejtjen e Ukashit ia ktheu: “Të besoj Ukash, por ma kujto kur ndodhi kjo.”

Ukashi tha: “Një ditë t’u afrua një i varfër dhe kërkoi ndihmë, e ti nuk pate të holla pranë vetit dhe huazove nga unë tre dërhem. Ende nuk m’i ke kthyer.”

Pejgamberi s.a.v.s. urdhëroi Aliun r.a. t’i sjell tre dërhem dhe t’ia jep Ukashit. Sahabët nuk mund të besonin në këtë që po shikonin. Pyeteshin nga kjo trimëri dhe guxim i Ukashit ta maltretojë Pejgamberin e sëmurë dhe të molisur.

Por, Pejgamberi s.a.v.s. përsëri pyeti a i ka mbetur kujt borxh apo dikënd në njëfarë mënyrë e ka dëmtuar. Përsëri u paraqit Ukashi: “I Dërguar i Allahut, njëherë kur kalëronim me deve pranë Taifit, padashje më ke goditur me kamxhik në gjoks dhe kjo më ka shkaktuar dhembje shumë. Dëshiroj kompensim për këtë goditje!”

Në mesin e sahabëve u bë çrregullim i vërtet. Me zë akuzonin Ukashin, ndërsa Omeri r.a. mezi u përmbajt për ta goditur këtë sahab.

Mirëpo, Pejgamberi s.a.v.s. u ngrit i qetë dhe urdhëroi Aliun r.a. t’ia sjell kamxhikun.

“A thua do ta godasësh Pejgamberin?” “Më godit njëqind herë mua për një goditje që të ka bërë Pejgamberi!” T’i jap 100 deve t’ia bëjsh hallall Pejgamberit!” Si nuk ke turp Ukash çfarë bën!” - bërtisnin ata që ishin prezent, por ai nuk u vinte veshin fjalëve të tyre dhe ishte këmbëngulës në dëshirën e tij.

Kur Aliu r.a. i solli kamxhikun Ukashit, me kërkesën e re i ngriu zemrat e gjithë atyre që ishin prezent, saqë disa deshën ta vrasin.

Kërkoi sa vijon: “O i Dërguar i Allahut, kur ti më pate goditur, gjoksi im ishte i zhveshur, andaj zbulo edhe ti gjoksin tënd që me nder ta marr hakun tim!”

Muhammedi s.a.v.s. pa vërejtje dëgjoi dhe zbuloi gjoksin e tij. Sahabët të çuditur shikonin duke mos besuar se a thua vërtet po ndodh kjo. Kur të gjithë prisnin goditjen, Ukashi u hodh në gjoksin e Pejgamberit s.a.v.s. dhe filloi ta përqafojë duke qarë dhe duke thënë: “O i dashuri i Allahut, gjatë kam pritur ta përqafoj gjoksin tënd të bekuar. Pasha Allahun, jam gati të vdes për ty nëse duhet!”

Ah, ah, ah! Të gjithë qanin. Dënesjet shponin zemrat, rrëke lotësh rrjedhnin.

Dashuria e vërtet u zbulua para njerëzve, dashuria e Ukashit ndaj Pejgamberit s.a.v.s. Për çfarë ka qenë të inskenojë ky sahab për të arritur dëshirën më të madhe në dynja¸ për të përqafuar gjoksin e bekuar të Pejgamberit s.a.v.s.

Ky është tregimi për këtë dashuri. Ndërsa neve nuk na mbetet pos që t’i përqafojmë këto hadithe të shkruara në libër, ta përqafojmë sunnetin e tij dhe ta ruajmë në praktikën tonë.

Ishin këto ditët e fundit të jetës së krijesës më të zgjedhur të Allahut, Muhammedit s.a.v.s. i cili shfrytëzoi çdo moment të mundshëm që të na këshillojë që paqja, drejtësia dhe nderi janë ideale të pacënueshme kah duhet të orientohemi. Na mësoi se secila e drejtë e çdokujt duhet respektuar, edhe nëse ne nuk e dëshirojmë.

Me madhështinë e tij na tregoi në modestinë dhe përulësinë më të madhe.

Në realitet, tërë jeta e tij është një burim i pashterrur nga i cili gjenerata dhe gjenerata pas tij shuan etjen dhe fisnikëruan jetët e tyre.

Të bëhemi edhe ne si ata dhe t’i ujitim shpirtrat tanë të etur.


Shfrytëzoje rastin! E gjithë jeta është një rast. Ai njeri që shkon më larg, zakonisht është ai që është i gatshëm të bëjë dhe të guxojë. Barka e sigurt kurrë nuk lundron shumë larg bregut.

TREGIME  PËR JETËN  Pfwv4
Master
Master
Webmaster
Webmaster

Numri i postimeve : 7904
Reputation : 47
Join date : 17/06/2011

Shiko profilin e anëtarit http://programe-al.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

TREGIME  PËR JETËN  Empty Re: TREGIME PËR JETËN

Mesazh nga Anakonda prej Sun Aug 12, 2012 11:57 am

Jan thjesht kujtime.....

Teksa po qendroj kot ,mendova tshkruj disa gjona qe mkan ndodh ne te shkuaren e thash ti largoj kta brenga qe po ma tresin shpirtin dita dites.Kam pas ni femijeri tveshtir,me askend nuk shkoja mire.Mbaj mend qe kur isha e vogel dikushi jeten ma shpetoi,nga makina me largoi.E falenderoj kushdo tjesh,edhe gjith tmirat njetebn tende tkesh.Nganjeher do doja qe te te thoshja mos mprek,te te thoja me mir mle tvdek.Mbaj mend se gjithmon kam dash tjem e bukur,tmbaroj shkollen edhe tmartohem me naj cun tmire;mbaj mend qe kur shoqet e mia degjonin fjalet e mia qeshnin e thonin kush esht ai qe do martohet me ty;ti je e shpifme e nuk shihesh me sy;mbaj mend se qaja sepse isha hala fmi nuk kuptoja asgje edhe kisha frik me nejt me njeri;mbaj mend qe u izolova nga tjeret,mbaj mend qe edhe lot gjaku kom derdh,jo vec pika loti kot;mbaj mend qe fillova duhanin,ajo mshkatrroi;me ofrun drogen un se pranova;me ofrun alkolin un e largova;mbaj mend edhe kur nje djal me premtoi dashuri tsinqert,mbaj mend se mtha do ta kalojm bashk ket jet;kur mtha se do ti linte tdashurat si kishte;e me mu i lumtur te ishte;lmbaj mend sesi mshkatrroi;mtha fjal e premtime por kur vjen fundi shkoi me tparen kuyrv qe krevatin i liroi;mbaj mend kur armikja mshkatrroi;mbaj mend kur qendrova pa ngren,e me binte tfikt sepse c doja te isha ajo qe desha;mbaj mend qe kur ndryshova u dobsova u bera e bukur te gjitha mu afronin e shoqe mkonsideronin;ndersa sot un u thash;Mlini qe e lumtur tjetoj,mlini te qet se vdekjen as rivalesw time sja uroj...
Anakonda
Anakonda
Super Moderatore
Super Moderatore

Numri i postimeve : 2874
Reputation : 34
Join date : 10/02/2012
Age : 23
Location : Burrel

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

TREGIME  PËR JETËN  Empty Re: TREGIME PËR JETËN

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi