Programe Forum - Welcome

Mire se vini ne Program forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Programe, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Register To Have Access For Downloads Softwares

Programe / Staff.


TUNDIMI.....

Shko poshtë

TUNDIMI.....

Mesazh nga Master prej Tue Oct 16, 2012 9:20 pm


Ishim ulur rreth një tavoline të ulët në gjysmerrësirë, për të shijuar një gotë verë port pas darke, kur njëri prej të ftuarve, Gent më duket se e quanin, më zgjati paketën. “Ndize një,” tha.

Nuk ia ktheva dorën, tërhoqa cigaren nga paketa, ia ndieva erën prej çaji duhanit të ngjeshur, pastaj një nga vajzat më afroi çakmakun, me flakën që m’u lëpi sensualisht pas letrës me vija të holla të kaltra.

Megjithatë… një gulç më pengon ta thith tymin deri në fund, si atëherë si dikur si një herë e një kohë; një qortim nga e përtejmja, nga humbella me ajër të vjetër, të përdorur, të keqtrajtuar, të hedhur tutje, pa leje.

Ku jam? Cilët janë këta njerëz?

“Sheh shpesh ëndrra si kjo?” më pyet mjeku i natës, “Kur të duket sikur e ke nisur serish cigaren?”

Nuk mbaj mend se çfarë u bë shkas që e lashë më në fund; një kollë e thatë, një trazim stomaku, një pickim në pleurë, një marrje mendsh në biçikletë, një puthje e refuzuar.

“Ju e keni pirë?” e pyes.

Ai nuk më përgjigjet, por shfleton ngeshëm një album fotografik që ia ka dhuruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, atij dhe të gjithë mjekëve të republikës; një album luksoz, me radiografi dramatike mushkërish të shkatërruara nga tymi.

Gjithfarë mushkërish, test i Rorschach-ut për pneumologët.

“Janë materiale origjinale të spitaleve të burgjeve të Shangait,” më shpjegon. “Çdo sekondë që kalon, vdes një kinez nga kanceri i mushkërive.”

Ai sheh orën me padurim, vazhdon të shfletojë albumin, sikur po zhvesh me përtesë ndonjë grua mërdhace, me shumë shtresa.

Unë përfytyroj për një pavijon spitali të madh, si hangar aeroporti të ndriçuar mirë, ku janë shtrirë me mijëra kinezë të sëmurë për vdekje, lidhur me tuba të flebos, teksa një autoritet i sertë vete e vjen në rruginat mes shtretërve, me kronometrin shtrënguar në dorën e mbrojtur me dorezë lateksi.

Nuk di shumë gjëra për mjekun tim, veç që e ka emrin Dukat dhe që i bie trombonit në një ansambël amator xhazi.

Bie telefoni. “Po, po, mund të vini lart,” i thotë mjeku atij që ka marrë.

Unë matem të largohem për mirësjellje, por qenkam i mbërthyer me rripa meshini pas karriges. Rripa, gjithsesi, jo flebo. Nuk ka problem, më thotë vështrimi i dr. Dukatit, rri i qetë.

Në spital zyrtarisht ndalohet duhani, por infermieret e vjetra e pinë të gjitha, në banjot e personelit të ulët, ku të përvëlon sytë amoniaku.

Tani më kujtohet më mirë: në hyrje të tualetit të grave të katit të dytë, një edepsëz ka ngjitur shkel e shko adezivin “rrezik vdekje”. Lasciate ogni speranza voi che entrate.

Në dhomë hyjnë dy burra me pardësy, duke u zhvendosur në heshtje, si pantera.

“Nuk është ky ai që kërkoni,” u shpjegon dr. Dukati.

Unë mbyll sytë. Jam si gjithnjë i vetëm, tek ura në bulevard, pres që të kalojë aty Arbëria, siç kalon çdo mbrëmje. Më pëlqen t’ia dëgjoj çak-çukun e takave nazike në trotuarët e zbrazët të dimrit, nën pishat që mardhin. T’ia dëgjoj e të përhumbem.

Më afrohet një punonjës i rendit. “Plako, ke zjarr?” Fut dorën në xhep, prek çakmakun e ngrohtë, prej plastike të fortë të lëmuar, produkt i një civilizimi tjetër, më të vëmendshëm ndaj sendeve, më të kujdesshëm ndaj mollëzave të gishtave.

Ai më zgjat paketën: ndize një edhe ti.

E marr, e afroj në buzë nga ana e kundërt e filtrit, dua t’ia ndiej aromën duhanit, parfum locioni rroje në një berberhanë gjuetarësh të Pyllit të Zi, në Bavari. Ku ka lavire leshverdhë që t’i rezistojë atij kundërmimi…

Ah, sa vjet më parë, them me vete, pa ndonjë arsye. Ai tjetri, që tashmë e ka bërë pazarin me nikotinën, më largohet i përqafuar me të, pa më thënë as natën e mirë, duke më lënë me cigaren afruar te buzët, por nga ana e kundërt e filtrit, për siguri.

Ja edhe Arbëria, për së largu. Ngaqë ka kohë që unë e ndjek dhe e ruaj, në heshtje, ajo më njeh tashmë dhe ndihet disi e çliruar, kur më sheh t’i përhihem tek ura, atje ku dritat nga dy llampa neon komplotojnë mes tyre, për t’i dhuruar kalimtarit pak errësirë të mirëpritur, pak privacy.

“Hapi sytë tani,” thotë dr. Dukati.

Shoh që njëri prej vizitorëve po më zgjat një gotë të vogël plastike, të milimetruar; që nuk di pse më kujton nevojtore fenomenale, me dyer që përplasen marrëzisht, si të kapura gafil prej një stuhie të palajmëruar prej shërbimit meteorologjik publik.

“Shtetit i duhet urina juaj,” deklaron.

“Nikotina ka afinitet më të madh për receptorët e acetilkolinës në tru, sesa për ata në muskujt e skeletit,” vëren kolegu i tij, duke vështruar nga dritarja retë e zeza që grumbullohen në horizont.

Teksa dr. Dukati vazhdon të shijojë albumin e mushkërive, mua më kujtohet vëllai i madh të një shokut tonë, që punonte infermier në radiologji, dhe që na rrëfente me hollësi si ua bënin radioskopitë vajzave të reja nga rrethet.

I porositnim që t’i puthitnin mirë thithkat bojë rozë të çelët pas pllakës vertikale prej alumini, na thoshte. Ato kishin ftohtë, ankoheshin gjysmë të zhveshura, shanin, përdridheshin. Makinat rënkonin.

Apollon, e kishte emrin ky. Nuk di pse s’ia paskam harruar. Vdiq vjet, i shkreti, nga një kancer i rrallë në gjí – ja që i kapka edhe burrat, gjë që është mirë të mbahet parasysh.

Mbyll sytë përsëri, por nuk është faji im që m’i kanë dhënë ilaçet e mbrëmjes. Arbëria, teksa më afrohet me hapa të vegjël irritues, më sheh që mbaj një cigare midis gishtave dhe nuk e përmban dot më veten: “Po ti sikur the që do ta lije! Çfarë burri je ti? Si mund të të besoj unë ty, kur ti nuk je as në gjendje të lësh duhanin për së mbari?”

Një studim, gjatë të cilit minj adoleshentë iu ekspozuan nikotinës për muaj me radhë, tregoi se kjo vonon pjekurinë e sistemit të dopaminës, duke e rritur rrezikun për abuzim me droga më të rënda, në adoleshentë.

“Megjithëse minj të droguar sikur nuk më ka zënë syri ndonjëherë,” vëren dr. Dukati. “Asëll, asëll, as minj adoleshentë.”

Nuk e kam ndezur, i them Arbërisë, nuk e kam ndezur, pra. Vetëm e mbaj në buzë, për t’ia ndier aromën.

Nikotina dhe veprimtaria kolinergjike e shtuar që shkaktohet prej konsumit të saj pengojnë apoptozën, që është një nga mënyrat që përdor trupi për të shkatërruar qeliza të padëshiruara, lexoj në një poster të ri, që dr. Dukati sapo do ta ketë varur në murin e studios.

“Vdekja e programuar e kujtesës,” thotë Arbëria. Ti e ke shkelur premtimin, disa herë, dhe pikërisht në këtë vend, te kjo urë, në epoka të ndryshme, në stinë të ndryshme.

Ul kokën dhe e shoh veten të rrethuar nga bishta cigaresh, disa të shtrembëra, të paçuara deri në fund, ende plot nikotinë, shenja të një begatie të rreme, ndoshta neurotike.

Nuk është e mundur, bëj të them; ka një keqkuptim; unë vërtet mund të mbaj obsesivisht cigaren në buzë dhe një çakmak të vakët në xhep të xhaketës, por nga kjo nuk mund të nxirret ndonjë deduksion, dhe sidomos asgjë nga çfarë kërkoni ju.

“Ky është kronik,” shton dr. Dukati, si pa dashur. “Kot humbni kohën me të.”

Diku tutje, në fund të korridorit, dëgjohet një zile e kotë alarmi, jo shumë e vendosur, jo shumë e tendosur, por pak shqetësuese, në mënyrën e vet idiote, si çdo zile që kërkon të zgjojë.

“Unë e kuptoj,” thotë dr. Dukati.

“Unë e kuptoj” thotë edhe Arbëria, në anën tjetër të qepallave.

Stinë e keqe, stinë ku të merren këmbët, me vese të vyshkura, nga të ftohtët e thatë, ndoshta nga mospërdorimi. Tani më vjen ndërmend edhe gjyshi im, rahmet pastë, që e blente tabakon gjethe dhe e grinte vetë në shtëpi për ta pirë pastaj me të dredhur, e që preu një ditë gishtin tregues deri në kockë, kur po grinte me një thikë të frikshme; iu përzie duhani me gjithë atë gjak që i rrodhi, sikur kishin sakrifikuar ndonjë cjap të rastit.

Atë javë shtëpia do të kutërbonte erën që lëshon ndonjëherë miza, kur shkrumbohet aksidentalisht mbi syprinën përcëlluese të sobës në zemër të dimrit.

Por nuk mund të pranoj që e kam ndezur, sa kohë që nuk e kam ndezur, them me vete. Ju, zotërinj, më kërkoni të gënjej, por në emër të cilit gjak?

“Lëre ta pijë,” i thonë ata të dy dr. Dukatit. “Ashtu mbase do t’i kujtohet ndonjë gjë nga vetja.”

Bie perdja.


Shfrytëzoje rastin! E gjithë jeta është një rast. Ai njeri që shkon më larg, zakonisht është ai që është i gatshëm të bëjë dhe të guxojë. Barka e sigurt kurrë nuk lundron shumë larg bregut.

Master
Master
Webmaster
Webmaster

Numri i postimeve : 7904
Reputation : 47
Join date : 17/06/2011

Shiko profilin e anëtarit http://programe-al.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: TUNDIMI.....

Mesazh nga Anakonda prej Mon Feb 11, 2013 5:55 am

Kamë menduar për jetën time pa ty. Kamë njohur frikën shumë e shumë herë. Në ato momente mendja ime është zhytur në një errësirë të paprovuar që nuk kishte as fundë e as fillimë. Kamë menduar për ditën dhe natën që gjithëmonë ndjekin njëra-tjetrën por asnjëherë nuk takohen. Sa shumë ngjan me ne!! Kamë menduar për hënën dhe diellin që nuk takohen kurrë, dhe e shfaqin dashurinë e tyre vetëm në një "eklips".

Me 5 shkronja të thashe gjënë më të madhe në botë! "TË DUA"
Anakonda
Anakonda
Super Moderatore
Super Moderatore

Numri i postimeve : 2874
Reputation : 34
Join date : 10/02/2012
Age : 23
Location : Burrel

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi